ShBA-ja lëshon paralajmërim global për udhëtime për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme
Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim global për udhëtime, duke u bërë thirrje shtetasve amerikanë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit jashtë vendit, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimit të The New York Times, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se situata e sigurisë mbetet e ndërlikuar dhe se zhvillimet aktuale mund të çojnë në një “përshkallëzim të paparashikueshëm”.
Departamenti i Shtetit u ka rekomanduar amerikanëve në mbarë botën, veçanërisht atyre që ndodhen në Lindjen e Mesme, që të ndjekin udhëzimet e ambasadave dhe konsullatave më të afërta amerikane, si dhe të monitorojnë vazhdimisht zhvillimet e fundit.
Në paralajmërim thuhet se objekte diplomatike amerikane janë vënë në shënjestër edhe në vende jashtë Lindjes së Mesme. Autoritetet amerikane vlerësojnë se grupe që mbështesin Iranin mund të tentojnë të sulmojnë interesa të tjera të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, përfshirë lokacione që lidhen me amerikanët.