ShBA-ja ia miraton Polonisë blerjen e mundshme të 116 tankeve M1A1 Abrams - NACIONALE

ShBA-ja ia miraton Polonisë blerjen e mundshme të 116 tankeve M1A1 Abrams

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar shitjen e 116 tankeve M1A1 Abrams të prodhuesit “General Dynamics”, automjeteve të tjera e municionit në Poloni përmes një marrëveshjeje me vlerë të 3 miliardë e 750 milionë dollarëve, sipas njoftimit të Pentagonit.

Ky miratim erdhi vetëm disa muaj pasi Polonia ishte autorizuar për të blerë 250 tanke M1A2 nga prodhuesi i njëjtë. Me opsionin e ri, Polonia mund ta zgjedhë blerjen e një përzierjeje të dy versioneve të këtij tanku, kur shteti evropian po synon ta modernizojë ushtrinë dhe t’i përshtatet realitetit të ri gjeopolitik pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Në pakon e re përfshihen edhe automjete për tërheqjen e tankeve të papërdorshme, tetë ura sulmi e automjete të tjera. Aty përfshihen edhe mijëra pjesë të municionit të avancuar, përfshirë predhat anti-blind, pjesët rezervë dhe përkrahjen teknike, tha Pentagoni.

Agjencia për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes e Pentagonit e njoftoi të martën Kongresin për shitjen e mundshme të këtyre armëve në Poloni.

Pavarësisht nga miratimi nga Departamenti i Shtetit, në njoftim nuk tregohet nëse shtë nënshkruar një kontratë ose nëse bisedimet kanë përfunduar.

Lajme të ngjashme