ShBA-ja i pezullon taksat, pasi Kolumbia pajtohet për pranimin e emigrantëve të dëbuar
Shtetet e Bashkuara nuk do të zbatojnë taksa ndaj Kolumbisë, pasi Bogota u pajtua për të pranuar – pa kufizime – emigrantë të dëbuar, tha Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte urdhëruar taksë prej 25 për qind ndaj të gjitha mallrave kolumbiane, pasi presidenti i shtetit të Amerikës së Jugut e kishte ndaluar aterrimin e dy aeroplanëve ushtarakë amerikanë me persona të dëbuar të dielën në vendin e tij, raporton televizioni BBC.
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, fillimisht kishte reaguar duke thënë se vendi do të pranonte qytetarë të riatdhesuar “në aeroplanë civilë, pa i trajtuar ata si kriminelë”.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Kolumbia tani është pajtuar për të pranuar emigrantë që arrijnë me aeroplanë ushtarakë amerikanë “pa kufizim apo vonesë”. Kolumbia tha se do të mbahet një dialog “për ta garantuar dinjitetin e qytetarëve tanë”.
Shtëpia e Bardhë e ka çmuar marrëveshjen me Kolumbinë, duke e cilësuar si fitore për qasjen e ashpër të Trumpit, pasi udhëheqësit e të dyja vendeve kishin shkëmbyer kërcënime në rrjete sociale të dielën.
Ministria e Jashtme e Kolumbisë tha se e kishte “tejkaluar ngërçin” me ShBA-në vetëm disa orë pasi Petro publikoi një shkrim të gjatë në rrjetin X, me të cilin e dënoi atë që e quajti “bllokadë” të Trumpit.
Petro më herët e kishte ndaluar hyrjen e aeroplanëve ushtarakë amerikanë me persona të dëbuar, duke thënë se emigrantët duhej të ktheheshin “me dinjitet dhe respekt”.
Si kundërpërgjigje, Trumpi njoftoi “masa hakmarrëse urgjente dhe vendimtare” përmes një shkrimi në rrjetin “Truth Social”, përfshirë taksat dhe kufizimet me viza./Nacionale