ShBA-ja e dënon edhe nënën e adoleshentit që vrau katër shokë klase më 2021 - NACIONALE

ShBA-ja e dënon edhe nënën e adoleshentit që vrau katër shokë klase më 2021

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një trup gjykues ka shpallur fajtore një nënë në Michigan të ShBA-së për vrasje të pavullnetshme për shkak të dështimit që t’ia parandalonte të birit kryerjen e një sulmi vdekjeprurës në shkollë.

Jennifer Crumbley, 45 vjeçe, është prindi i parë në ShBA që dënohet për vrasje për një sulm masiv të kryer nga fëmija i vet, raporton televizioni BBC.

Prokurorët e kishin akuzuar zonjën Crumbley për neglizhencë gjatë lejimit të të birit për të mbajtur armë dhe për shpërfillje të shenjave paralajmëruese.

Bashkëshorti i saj, James, është duke u ballafaquar me një proces tjetër gjyqësor për të njëjtat akuza. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Biri i tyre, tashmë 17 vjeç, është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër shokëve të klasës në Shkollën e Mesme “Oxford” në Michigan më 30 nëntor 2021. Shtatë persona ishin plagosur gjatë sulmit.

Zonja Crumbley u duk pa emocione dhe shikimin e mbante ulur gjatë leximit të vendimit në gjykatën e distriktit Oakland të martën.

Ajo ishte ngarkuar me katër akuza për vrasje të pavullnetshme, secila me dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim.

Pyetja në thelbin e këtij gjykimi ishte nëse nëna e sulmuesit kishte munduar ta parashikonte ose ta parandalonte krimin vdekjeprurës.

Zonja Crumbley dhe burri i saj e kishin blerë armën e përdorur në sulm nga djali i tyre vetëm disa ditë para se të ndodhte rasti tragjik./Nacionale

Lajme të ngjashme