ShBA akuzon tre shtetas iranianë për sulme kibernetike
Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së, ka njoftuar se vendi ka akuzuar tre shtetas iranian për sulme kibernetike që kishin në synim kompanitë e energjisë, qeveritë lokale dhe bizneset e vogla jofitimprurëse, duke përfshirë një strehë të dhunës në familje në Pensilvani.
Sipas njoftimit mbi tre personat rëndojnë akuzat për shënjestrimin e qindra viktimave në ShBA dhe vende të tjera.
Prokurorët thanë se hakerët kanë koduar dhe vjedhur të dhëna nga rrjetet e viktimave duke i kërcënuar se nëse nuk do të paguanin paratë që ata kërkonin, të dhënat e tyre do publikoheshin.
Sipas një zyrtari nga ky departament besohet se hakerët nuk kanë punuar në emër të qeverisë, por për përfitimet e tyre personale, pasi disa nga viktimat ishin edhe në Iran.
Megjithatë, zyrtari amerikan tha se ky aktivitet ekziston për shkak se lejohet dhe nuk ndëshkohet nga qeveria iraniane.
Mendohet se tre hakerët e akuzuar janë në Iran dhe nuk janë arrestuar, por zyrtari i Departamentit të Drejtësisë tha se akuzat e bëjnë "të pamundur" largimin e tyre nga vendi.