Shala thotë se Serbisë i konvenon gjendja e “status quo”-së: Nuk e ka prioritet normalizimin
Blerim Shala, analist që dikur ishte këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka interpretuar politikën zyrtare të pushtetit në Serbi.
Në shkrimin e tij të publikuar në Klan Kosova, Shala ka vlerësuar se gjendja aktuale e “status quo”-së, për Serbinë mund të zgjasë pa kufi.
Tutje, ai ka vlerësuar se Serbia nuk e ka prioritet normalizimin.
“Në këtë mënyrë, me këtë qasje, me këtë politikë, me këtë pozicionim, Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Qeveria e tij, kanë qartësuar që nuk janë fare të interesuar për zbatimin e këtyre dy Marrëveshjeve (sepse as që i njohin ato), si dhe nuk e kanë aspak prioritet normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Për Serbinë kjo gjendje aktuale e Status Quo-së (e cila tash e sa vite nga Administrata Amerikane vlerësohet si interes vetëm i Rusisë së Vladimir Putinit), mund të zgjasë pa kufi.
Për këtë shkak, nuk mund të pritet asgjë në javët dhe muajtë e ardhshëm të këtij viti, i cili do t’ia bartë vitit të ardhshëm një barrë të madhe të problemeve të cilat duhej të zgjidheshin me dialog.
Dialogu në të vërtetë u bë, për shkaqet e përmendura tashmë, burim i problemeve e jo zgjidhje e tyre” – ka shkruar Shala, ndër të tjera.