Serbia kërkon ndihmë nga Rusia për t’i luftuar zjarret në natyrë
Serbia i është drejtuar Rusisë për ndihmë në luftimin e zjarreve në natyrë për shkak të mungesës së aeroplanëve që janë në dispozicion nga Bashkimi Evropian, tha Ministria e Brendshme.
Një aeroplan zjarrfikës i Ministrisë së Emergjencave të Rusisë, i tipit IL-76P, të mërkurën në mbrëmje aterroi në Nish dhe u dislokua të enjten për të luftuar një zjarr në natyrë në zonën e mbrojtur natyrore, Deliblatska Pescara, që nuk po ndalet me javë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ka qasje në ndihmat emergjente të bllokut si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Këtë verë, Beogradi dërgoi një helikopter zjarrfikës dhe një ekip emergjent për ta ndihmuar Spanjën në luftën kundër zjarreve si pjesë e këtij mekanizmi, por zjarret në natyrë në disa shtete të Evropës i kanë shteruar burimet e BE-së.
“Duke marrë parasysh se nuk ka aeroplanë zjarrfikës të këtij kapaciteti në dispozicion brenda BE-së... aeroplani rus që po arrin do t’i fuqizojë në masë domethënëse kapacitetet tona në luftimin e zjarreve” – tha të mërkurën vonë Luka Causic, drejtor i Departamentit të Situatave Emergjente në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se Serbia “deri më tani” nuk e ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe se blloku do ta mobilizojë asistencën e vet në vijë me nevojat e Beogradit në terren.