Senatori Manchin e ndryshon qëndrimin, e përkrah planin e Bidenit për klimën
Senatori i Partisë Demokratike të ShBA-së, Joe Manchin, që ishte pengesë e planeve të Shtëpisë së Bardhë, ka befasuar shumë njerëz duke njoftuar përkrahje të befasishme për njërin ndër agjendat kryesore të presidentit Joe Biden, projektligjin për klimën.
Manchin tha se tash e përkrah projektligjin për rritjen e taksave ndaj korporatave, luftimin e ndryshimeve klimatike dhe uljen e kostove mjekësore.
Më parë, ai e kishte kundërshtuar propozimin, duke shprehur frikë se rritja e shpenzimeve do të mund ta përkeqësonte inflacionin.
Miratimi i këtij projektligji do të ishte fitore e madhe legjislative për presidentin Biden. Presidentit i duhet përkrahja e 50 senatorëve demokratë dhe vota e nënpresidentes Kamala Harris për ta miratuar projektligjin në Senat.