Senati i ShBA-së e miraton projektligjin jetik, afrohet fundi i mbylljes së Qeverisë
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj jetik që mund ta sjellë brenda disa ditëve fundin e mbylljes më të gjatë qeveritare në historinë e vendit.
Projektligji u miratua me 60 vota “për” e 40 “kundër” të hënën vonë. Projektligji u mbështet nga pothuajse të gjithë senatorët republikanë, të cilëve iu bashkuan edhe tetë demokratë, të cilët devijuan nga qëndrimi i partisë së tyre. Me këtë marrëveshje, Qeveria financohet deri në fundin e janarit, raporton televizioni BBC.
Projektligji tani do të dërgohet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve para se presidenti Donald Trump të mund ta nënshkruajë atë për ta futur në fuqi. Më herët të hënën, kreu i Shtëpisë së Bardhë sinjalizoi se ishte i gatshëm për një gjë të tillë.
Marrëveshja doli në dritë gjatë fundjavës, pasi disa demokratë iu bashkuan republikanëve dhe negociuan një marrëveshje për t’i siguruar kthimin e punonjësve federalë dhe rinisjen e shërbimeve esenciale.
Republikanët, të cilët kanë shumicë prej 53 me 47 ulëse në Senat, kishin nevojë për së paku 60 vota që ta siguronin miratimin e projektligjit. Vetëm një senator republikan, Rand Paul nga Kentucky, votoi si shumica e demokratëve, kundër projektligjit.
Njoftimi për miratimin e projektligjit u dha në sallën që ishte kryesisht e boshatisur, por senatorët që qëndruan e pritën me brohoritje dhe duartrokitje.