Senati i ShBA-së e miraton ndalimin e importit të uraniumit nga Rusia
Senati i Shteteve të Bashkuara në mënyrë të njëzëshme e ka miratuar legjislacionin me të cilin ndalohet importimi i uraniumit nga Rusia, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kishte miratuar projektligjin në dhjetor.
Uraniumi përdoret për t’u dhënë energji reaktorëve bërthamorë komercialë me të cilët prodhohet rrymë, raporton gazeta “The Guardian”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili javën e kaluar nënshkroi një pako miliardëshe të ndihmave për Ukrainën, pritet që tani ta nënshkruajë edhe projektligjin për ndalimin e importimit të uraniumit nga Rusia, duke e shndërruar në ligj.
Centralet bërthamore amerikane importuar rreth 12 për qind të uraniumit nga Rusia më 2022, sipas Administratës Informuese të Energjisë të ShBA-së.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare kishte thënë se ndalimi i importit nga Kongresi “do t’u ofronte garanci industrisë, aleatëve dhe partnerëve që ShBA-ja ka marrë një vendim të qartë për të formuar një zinxhir të sigurt furnizimi me karburant bërthamor, të pavarur nga ndikimi armiqësor, për dekadat e ardhshme”.