Selmanaj: Projektligji për zyrtarët publikë kthen kontratat mbi vepra
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar projektligjin për zyrtarët publik, i cili sot po diskutohet në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Në adresimin e tij, ai ka përmendur disa nene problematike të këtij projektligji.
Selmanaj ka bërë me dije se përmes këtij projektligji po synohet politizimi i administratës publike.
Sipas tij, ky projektligj kthen kontratat mbi vepra.
“Aq shumë në Kosovë i kemi kritikuar kontrata mbi vepra, sepse është abuzuar me këtë proces. Pajtohem, shumica e partive kanë abuzuar me kontrata mbi vepra. Me ligjin e vitit 2020 është hequr kjo mundësi. Është lenë si mundësi më procedura të prokurimit. Por, tash me këtë ligj po kthehet prapë. Neni 37 i këtij ligji po i kthen kontrata mbi vepra, veç me afat pak më të gjatë, 2 deri në 3 vjet. Ministritë e caktuar për projekte të caktuara, për vepra të caktuar të bëjnë kontrata mbi vepër. Pra, këtu nuk kemi progres, por regres të llojit të vet, për mendimin tim të papranushem”, ka thënë Selmanaj.