Sekretari i NATO-s ia thotë në sy Vuçiqit: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikoni stabilitetin
Jens Stoltenberg, Sekretari Gjeneral i NATO-s, ka folur me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.
Ai ka paralajmëruar z. Vuçiq se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë në rast se stabiliteti rrezikohet, bazuar në mandatin e saj që i jep OKB-ja.
“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të përfshihen kontstruktivisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO/KFOR-i qëndron gati për të intervenuar në rast se stabiliteti rrezikohet, bazuar në mandatin e saj.” – ka njoftuar ai përmes një postimi në Twitter.
Në anën tjetër, Vuçiq deri në këtë koment nuk ka treguar për bisedën që ka pasur me Sekretarin e NATO-s.
Të dielen e kaluar, Vuçiq kishte mbajtur një fjalim luftënxitës duke folur për zhvillimet e fundit ku pritej të hynin në fuqi vendimet për reciprocitetin në targa dhe në letërnjoftime.
