Së paku pesë të vrarë nga vala masive e sulmeve ruse në mbarë Ukrainën, thonë zyrtarët
Të paktën pesë njerëz janë vrarë nga sulmet ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës, pasi një bombardim masiv ajror gjatë natës së kaluar vuri në shënjestër disa rajone në mbarë vendin.
Një grua 61-vjeçare u vra, kur një dron goditi një tren elektrik në Kharkiv të martën herët, thanë autoritetet, ndërsa për viktima të tjera u raportua në Zaporizhia, Kherson dhe Poltava, sipas televizionit BBC.
Zyrtarët thanë se këto sulme ishin ndër më të rëndat në dhjetë ditët e fundit dhe erdhën disa orë pasi preisdenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar në fjalimin e tij të mbrëmjes për një “sulm masiv” që pritej të ndodhte.
Sulmet ruse që e kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike gjithashtu e shkëputën lidhjen kyçe të energjisë të Moldavisë me Evropën, tha presidentja Maia Sandu, duke shtuar se situata mbetej “e brishtë”.
Forca Ajrore e Ukrainës tha përmes një deklarate në rrjetin “Telegram” se Rusia në këto sulme përdori shtatë raketa balistike, 23 raketa me drejtim, katër raketa që hidhen nga ajri dhe 392 dronë.
Në deklaratë më tej thuhet se njësitet e mbrojtjes ajrore penguan 25 raketa dhe 362 dronë.
Në një shkrim në rrjetin X të martën, Zelensky tha: “Këta numra qartazi tregojnë se më shumë mbrojtje nevojitet për të shpëtuar jetë nga sulmet ruse. Është me rëndësi që të vazhdohet mbështetja për Ukrainën.”