Së paku 95 të vdekur e qindra të zhdukur nga vërshimet në kufirin Nepal – Kinë
Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë ende të zhdukur pas vërshimeve në zonat kufitare mes Nepalit e Kinës në Himalaje. Zyrtarët thanë se janë goditur edhe disa zona në Indi.
Katastrofa u shkaktua nga një rrjedhë e baltës, ujit dhe mbetjeve që dolën nga shtrati i një lumi që kalon mes Kinës e Nepalit. Shtëpi, rrugë, ura e qendra energjetike u morën me vete nga uji e balta në Nepal, ndërsa zyrtarët në Tibet thanë se kanë frikë për “viktima të shumta”, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet lëshuan paralajmërime ku qytetarëve në disa distrikte u bëhej thirrje për të qëndruar larg lumenjve Bhote Koshi, Trishuli dhe Narayani në Nepal.
Zyrtarët thanë se 384 turistë, përfshirë 291 nga shtete si India, ShBA-ja, Britania e Malajzia, janë raportuar të zhdukur. Nepali tha se 44 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe 30 oficerë policorë gjithashtu janë raportuar të zhdukur. Së paku një australian është në listën e të zhdukurve.
Zyrtarë të bordit të turizmit në Nepal thanë se shumica e të zhdukurve me gjasë janë turistë nga India dhe diaspora indiane që po merrnin pjesë në një pelegrinazh në Malin Kailash në Tibet, vend i shenjtë për hindusët.
Vërshimet mendohet se u nxitën nga një ortek i përbërë nga akulli e gurët që u shkëput nga një akullnajë.