SBASHK-u paralajmëron se për shkak të grevës, mund të rrezikohet edhe mbajtja e Testit të Maturës
Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka folur për grevën e paralajmëruar në arsim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka thënë se nëse nuk arrihet një zgjidhje deri kur të shpallet greva e përgjithshme, mund të rrezikohet mbajtja e Testit të Maturës.
Ymer Ymeri nga kjo sindikatë, në Tëvë1 ka deklaruar se mund të mos fillojë edhe viti i ri shkollor, për shkak të grevës që e kane paralajmëruar tash e disa kohë.
Ai mes tjerash tha se grevën nuk po e shpallin udhëheqësit sindikal, por anëtarësia.
“Grevën nuk janë duke e shpallur udhëheqësit sindikal, por janë duke e shpallur anëtarësia. Ne kemi grumbulluar nënshkrime të anëtarësisë, kërkesat e tyre që nëse nuk ka rezultat dialogu, veprimet të tjera sindikale siç e kemi pasur grevën një orëshe dhe dy protestat tjera që nuk kanë sjellë rezultate të përdorim edhe grevën e përgjithshme”, ka thënë ai.