Rutte në Kharkiv, Holanda nënshkruan marrëveshje sigurie me Ukrainën
Kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, të premten në Kharkiv nënshkroi një pakt të sigurisë me Ukrainën dhe tha se vendi i tij do ta ndihmojë financimin për 800 mijë predha artilerie.
Rutte u takua në Ukrainë me presidentin Volodymyr Zelensky gjatë një vizite të befasishme në qytetin verilindor, i cili ndodhet vetëm 40 kilometra larg kufirit me Rusinë, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryeministri holandez u bë udhëheqësi i shtatë perëndimor që nënshkruan një marrëveshje 10-vjeçare të sigurisë me Ukrainën gjatë dy muajve të fundit.
Ndërkohë, tre persona u vranë nga një sulm me dron ndaj një veture në pjesën e kontrolluar nga Rusia në rajonin Kherson të Ukrainës, tha të premten guvernatori i emëruar nga Moska. Vladimir Saldo nuk ofroi ndonjë hollësi për këtë sulm.
Një zyrtar ukrainas tha të premten se Rusia është duke grumbulluar forca të mëdha përreth vendbanimit Chasiv Yar, në lindje të Ukrainës.
Illia Yevlash, zëdhënës i grupit operues që e mbikëqyr vijën lindore të frontit, i tha Radios “Evropa e Lirë” se forcat ruse po i përqendrojnë përpjekjet për një shtytje drejt qytetit strategjik në perëndim të Bakhmutit, i cili kishte rënë në duart e rusëve në maj të vitit të kaluar, duke shpresuar që të përparojnë drejt Kostiantynivka-s, Kramatorsk-ut dhe Sloviansk-ut.