Rusia thotë se ka gjetur mina magnetike në një anije cisternë
Disa mina magnetike janë zbuluar në një anije cisternë në portin rus të Detit Baltik, Ust-Luga, tha të hënën Komiteti Hetues i Rusisë.
Komiteti Hetues tha se minat, që, sipas këtij institucioni, ishin të prodhuara në një vend të NATO-s, u gjetën nga zhytësit janë një inspektimi në trupin e anijes cisternë “Arrhenius”, e cila kishte ardhur nga porti belg Antëerp për t’u ngarkuar me gaz të lëngëzuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia i ka shtuar masat e sigurisë në portet e saj pas akteve të dyshimta të sabotimit me qëllim të minimit të infrastrukturës energjetike të saj.
NATO-ja nuk ka vendosur mina në asnjë anije cisternë, tha përmes një deklarate një zyrtar i NATO-s.
Vitin e kaluar, Rusia i urdhëroi zhytësit që t’i inspektonin anijet në portet e saj, pas sulmeve të dyshimta ndaj katër anijeve për transportin e naftës. Anija cisternë “Koala” kishte pësuar shpërthim në dhomën e motorit në shkurtin e vitit 2025.
Sipas platformës për të dhëna rreth anijeve, cisterna “Arrhenius” është me flamur të Liberisë dhe menaxhohet nga kompania “Maple Mariner Holding” në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zëdhënësja e Komitetit Hetues të Rusisë, Svetlana Petrenko, tha se minat e gjetura ishin prodhuar nga një shtet i NATO-s. Sipas saj, anija, e cila hyri në portin Ust-Luga më 20 maj, planifikohej të lundronte drejt portit turk, Samsun.
Ajo shtoi se minat janë deaktivizuar.
“Duke u mbështetur në veprimet fillestare hetuese, tashmë mund të arrihet në përfundimin se minat magnetike nuk kanë mundur të instalohen në ujërat territoriale të Rusisë” – tha Petrenko.