Rusia thotë se është e gatshme që ta diskutojë shkëmbimin e të burgosurve me ShBA-në
Rusia tha të premten se është e gatshme që ta diskutojë shkëmbimin e të burgosurve me Shtetet e Bashkuara përmes një kanali diplomatik ekzistues, një ditë pasi një gjykatë ruse e dënoi me nëntë vite burgim basketbollisten amerikane, Brittney Griner.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, janë pajtuar më parë për një kanal diplomatik që duhet të përdoret për të diskutuar çështje të tilla.
“Ne jemi të gatshëm që ta diskutojmë këtë temë, por brenda kornizës së kanalit për të cilin janë marrë vesh presidentët Putin dhe Biden”, tha kryediplomati rus gjatë një vizite në Kamboxhia.
“Nëse amerikanët vendosin që përsëri t’i kthehen diplomacisë publike..., ajo është punë e tyre dhe madje do të thosha se është problemi i tyre”, tha ministri rus.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë ofertë Rusisë për shkëmbim të të burgosurve për ta siguruar lirimin e amerikanëve të ndaluar në Rusi, përfshirë basketbollisten Griner dhe ish-marinsin Paul Whelan.