Rusia s'do të nxjerrë automjete ushtarake e kadetë në paradën e Ditës së Fitores, e fajëson rrezikun nga Ukraina
Parada e Ditës së Fitores, të cilën Rusia e shënon për çdo 9 maj në Moskë për ta kujtuar fitoren e sovjetikëve në Luftën e Dytë Botërore, këtë vit do të jetë më e vogël për shkak të një “kërcënimi terrorist” nga Ukraina, thotë Kremlini.
“Janë duke u marrë të gjitha masat për ta minimizuar rrezikun” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton televizioni BBC.
Ushtria ruse shpjegoi se përvjetori i fitores kundër Gjermanisë Naziste shekullin e kaluar nuk do të përfshijë automjete ushtarake apo kadetë për shkak të “situatës së tanishme operacionale”.
Ukraina rishtazi i ka shpeshtuar sulmet e saj thellë brenda Rusisë, më shumë se katër vjet pas fillimit të pushtimit të plotë rus kundër saj. Kievi thotë se po godet caqe legjitime ushtarake dhe e akuzon Moskën se po i sulmon civilët.
Peskovi tha para gazetarëve të mërkurën se “regjimi i Kievit, i cili po humb terren në fushën e betejës përditë, tani ka nisur aktivitet terrorist të shkallës së plotë”.
“Prandaj, duke e marrë parasysh kërcënimin terrorist, natyrisht se po ndërmerren të gjitha masat për ta minimizuar rrezikun” – shtoi ai, duke theksuar se parada përsëri do të mbahet në Sheshin e Kuq.
Vitin e kaluar, më shumë se 20 udhëheqës botërorë shkuan në Moskë për të marrë pjesë në shënimin e 80-vjetorit të mposhtjes së nazistëve më 1945.