Rusia paralajmëron fund të raporteve me ShBA-në, nëse i konfiskohen asetet
Çfarëdo konfiskimi i mundshëm i aseteve ruse nga Shtetet e Bashkuara do t’i shkatërronte tërësisht raportet dypalëshe të Moskës me Uashingtonin, citohet të ketë thënë shefi i Departamentit për Amerikën Veriore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë të shtunë.
“Ne i paralajmërojmë amerikanët për pasojat e dëmshme të veprimeve të tilla, që do t’i dëmtojnë në mënyrë të përhershme marrëdhëniet dypalëshe, gjë që nuk është as në interesin e tyre, as në interesin tonë”, citohet të ketë thënë Alexander Darchiev. Nuk ishte menjëherë e qartë se cilave asete po u referohej ai.
Darchiev-i gjithashtu tha se ndikimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës është rritur në atë shkallë që “amerikanët gjithnjë më shumë po bëhen palë e drejtpërdrejtë në konflikt”, shkruan agjencia “Reuters”.
Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, duke e cilësuar këtë veprim si “operacion special ushtarak”. Vendet perëndimore i kanë dhuruar ndihma të mëdha ushtarake e financiare Ukrainës dhe e kanë cilësuar të pajustifikueshëm sulmin e Moskës.