Rusia e sulmon Kievin, së paku 15 të vrarë
Të paktën 15 njerëz janë vrarë nga sulmet më të reja ruse që në shënjestër e kishin kryeqytetin ukrainas, tha kryetari i Kievit, përderisa Ukraina vazhdon të ballafaqohet me mungesë të raketave të mbrojtjes ajrore.
Blloqe banesash dhe depo u goditën në mbarë qytetin gjatë natës së kaluar, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave, ndërsa pësuan dëmtime edhe një spital i fëmijëve dhe një shkollë, raporton televizioni BBC.
Duke folur me BBC-në në një bllok banesor të goditur nga sulmet në Kiev, kryetari Vitali Klitschko tha se Ukraina ka nevojë për “municion, sisteme antiraketore, na duhet mbështetje nga partnerët tanë”.
Kievi mbështetet tek aleatët perëndimor për këto armë dhe presidenti Volodymyr Zelensky tha se “për aq kohë sa Ukraina nuk ka raketa të mjaftueshme antibalistike, Rusia nuk do të mendojë seriozisht për paqen”.
Sipas një përditësimi nga Forca Ajrore e Ukrainës të enjten në mëngjes, u nënkuptua se asnjëra nga raketat balistike ruse, të cilat u përdorën në sulmet e natës së kaluar, nuk u penguan.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se përdori armë me bazë ajrore, tokësore dhe detare për të vënë në shënjestër objekte dhe depo ushtarake të Ukrainës.
Sulmet e fundit ndaj Kievit nisën rreth mesnatës sipas kohës lokale, përderisa sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë qytetin, të pasuara nga ndikimi i raketave ruse.