Rusia e konfirmon rastin e parë me li të majmunëve
Rusia e konfirmoi të martën rastin e parë me li të majmunëve. Institucioni vëzhgues sanitar, Rospotrebnadzir, tha se i infektuari është një burrë që është kthyer nga Evropa.
Raportohet se pacienti ka simptoma të lehta dhe nuk është në rrezik për jetën. Autoritetet thanë se të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të infektuarin, janë identifikuar me kohë dhe janë nën vëzhgim mjekësor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, këtë vit në botë janë regjistruar mbi 6.000 raste me li të majmunit dhe tre të vdekur.