Rusia e dënon me gati katër vite burgim ushtarin amerikan, Gordon Black
Një gjykatë ruse ka dënuar një ushtar amerikan me tre vjet e nëntë muaj burgim nën akuzën për vjedhje dhe kërcënim se do ta vriste të dashurën, raportuan agjencitë shtetërore të lajmeve.
Rreshteri Black u dënua nga një gjykatë në Vladivostok, në lindje të Rusisë, raporton televizioni BBC.
Ai ishte arrestuar në maj dhe ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën se kishte kërcënuar një ruse me vrasje, por kishte pranuar se ishte “pjesërisht” fajtor për vjedhjen e 10 mijë rublave (116 dollarë) prej saj. Ushtari amerikan do ta apelojë vendimin e gjykatës, thanë agjencitë shtetërore të lajmeve.
Prokurorët kishin bërë thirrje që ushtari të dënohej me katër vjet e tetë muaj burgim, ndërsa avokatët kishin kërkuar që ai të shpallej i pafajshëm.
Zyrtarët amerikanë thonë se Black ishte njohur me të dashurën në Kore të Jugut. Fillimisht ishte pjesë e këmbësorisë më 2008, pastaj ishte dërguar në Irak më 2009 e në Afganistan më 2013. Rishtazi ishte bërë pjesë e forcave amerikane në Kore të Jugut, në Kampin “Humphreys”.
Ushtria amerikane ka thënë se Black nuk kishte kërkuar leje zyrtare dhe se Departamenti i Mbrojtjes nuk e kishte autorizuar për të udhëtuar në Rusi ose Kinë, ku kishte shkuar së pari, pasi ishte larguar nga Koreja Jugore. Nuk ka dëshmi që ai synonte të mbetej në Rusi.
Rusia është duke mbajtur prapa grilave edhe disa amerikanë të tjerë, përfshirë reporterin e gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, dhe ish-pjesëtarin e Marinës, Paul Whelan, i cili më 2020 u dënua me 16 vite burgim.