RTK në krizë financiare: Punëtorët ende pa paga, protestojnë nga e marta - NACIONALE

RTK në krizë financiare: Punëtorët ende pa paga, protestojnë nga e marta

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Tri sindikatat e punëtorëve të RTK-së kanë njoftuar se kanë mbajtur një takim urgjent lidhur me gjendjen e rëndë financiare dhe janë pajtuar që të fillojnë protestat nga e marta.

Komunikatë e përbashkët e tri sindikatave të RTK-së

Tri sindikatat – Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës – kanë mbajtur sot një takim urgjent, ku është diskutuar lidhur me gjendjen e rëndë financiare të krijuar në mediumin publik.

Të tri sindikatat, unanimisht, janë pajtuar që të fillojnë protestat nga e marta, duke filluar nga ora 12:00 para ndërtesës së RTK-së dhe në Televizionin e Kosovës.

Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deritanishëm, të cilët kanë pasur më shumë se dy javë kohë për ta zgjidhur këtë problem.

Mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe përmbushjen e detyrimeve të përditshme familjare. Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre.

Për SPRTK-në, SPERTK-në dhe ShSRK-në, është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij. Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës mbeten të vendosura në mbrojtje të pagave, vendeve të punës dhe dinjitetit të punëtorëve./Nacionale

Lajme të ngjashme