RTK-ja pa rroga, paralajmërohen greva
Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj mos-transferimit të buxhetit të miratuar për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), duke paralajmëruar se kjo vonesë po e vë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e punëtorëve të tij.
“Këto vonesa në transferimin e buxhetit po e vënë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike e sociale të punëtorëve të mediumit publik, të cilët edhe sot, më 3 nëntor, janë pa paga dhe, rrjedhimisht, pa mundësi për të kryer obligimet ndaj bankave dhe nevojave familjare”, thuhet në reagim.
Organizatat sindikale kujtojnë se financimi i plotë dhe në kohë i RTK-së nuk është privilegj, por obligim ligjor dhe moral ndaj mediumit publik dhe punëtorëve që e mbajnë atë në funksion.
Sindikata paralajmëron se RTK nuk duhet të shndërrohet në instrument të pazareve politike, duke kërkuar që çështjet buxhetore të mos përdoren për kalkulime partiake.
“Financimi i RTK-së nuk mund të mbetet peng i marrëveshjeve mes partive politike. Si transmetues publik, RTK ka një mision të qartë: t’u shërbejë qytetarëve me informim të pavarur, profesional dhe të paanshëm”, thuhet më tej në reagim.