Rrustemi i VV-së i përgjigjet Miftarajt: Statusi i tij është argument për mua dhe jo kundër meje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i është përgjigjur drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, pasi që ky i fundit i kishte reaguar Rrustemit në një postim për qëndrimin e IKD-së në raport me rritjen e pagave për gjyqtarët nga Qeveria Haradinaj, dhe uljen, nga Qeveria Kurti.
Rrustemi në Facebook ka shkruar se Miftaraj me statusin e tij se po e konfirmon konsistencën e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe sipas tij statusi i tij, është argument për të.
“Ehati me statusin e tij veç se po e konfirmon konsistencën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Statusi i tij, është argument për mua, jo për Ehatin e jo kundër meje. Ai po tregon se si VV kur ka qenë në opozitë ka kundërshtuar vendimin e Haradinajt për rritjen e pagës vetes dhe stafit të tij. E saktë. Po thotë po ashtu se paskemi thënë atëbotë se pagat e zyrtarëve shtetërorë duhet të rregullohen vetëm nga Kuvendi dhe me ligj. E saktë. Atë edhe po e bëjmë. Përmes projektligjit për pagat po i rregullojmë pagat e të gjithë zyrtarëve publikë, në mënyrë sistematike. E në rastin e gjyqtarëve pagat po rriten me ligjin e pagave”, ka shkruar ai.
Tutje deputeti i VV-së, ka thënë se Mftaraj po e konfirmon se ne(VV-ja) po e bëjnë tash atë se çfarë e kishin thënë atëherë.
“Përfundimisht, z. Miftaraj po e konfirmon se ne po bëjmë tash atë çfarë kemi thënë atëherë. Atëherë kemi kontestuar vendimin e Haradinajt, tash po e zhbëjmë atë tërësisht. Atëherë kemi thënë që pagat rregullohen veç me ligj e nga Kuvendi, këtë po e bëjmë me projektligjin për pagat e zyrtarëve”, ka përfunduar Rrustemi.
