Rritja e pagave, Miftaraj: Propozimi i Qeverisë e shkatërron parimin e vendosur në nenin 42 të Ligjit për Pagat
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftraj, ka reaguar ndaj paralajmërimit të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit publik me Projektligjin për Buxhetin.
Ai ka vlerësuar se veprimi i Qeverisë Kurti është në kundërshtim me Ligjin për Pagat.
Në profilin e tij në “Facebook”, Miftaraj ka shkruar se zotimi i qeverisë për rritje të pagave e prekë nenin 42 të Ligjit për Pagat.
Sipas tij, neni në fjalë e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve.
“Miratimi i ligjit të pagave kishte kaluar përmes një procesi të gjatë të konsultimeve publike dhe qëllimi bazë i këtij ligji ndër të tjera ishte edhe mbyllja e mundësive që pagat në sektorin publik të keqpërdoren për fushata elektorale. Mu për këtë arsye ishte vendosur edhe neni 42 i Ligjit i cili e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit. Dhe propozimi i qeverisë është një vendim që shkatërron parimin e vendosur në nenin 42, duke mbi vendosur strukturë të re, duke ndryshuar komponentën dhe nivelizimin e përcaktuar në këtë nen dhe katalogun e koeficienteve, dhe jo duke e përcaktuar vlerën e koeficientit, ashtu siç thot Ligji”, ka shkruar Miftaraj.
Sipas tij, veprimet e qeverisë janë keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale.
“Për më tepër, ky propozim është një propozim i njëanshëm, të cilit nuk i ka paraprirë dialogu social si dhe është një propozim jo transparent. Në bazë të ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik, kështu që veprimet e qeverisë janë të kundërligjshme dhe me këtë edhe keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale”, ka shkruar Miftaraj.