Rritet numri i viktimave të stuhive e tornadove në ShBA
Të paktën 18 persona raportohet të kenë vdekur nga disa tornado e stuhi në pjesët qendrore të Shteteve të Bashkuara. Qindra shtëpi janë shkatërruar e qindra mijëra amerikanë kanë mbetur pa furnizim me rrymë.
Gazeta Nacionale, duke e cituar agjencinë "Reuters", kishte raportuar më herët të hënën për 14 të vdekur.
Shtatë persona e humbën jetën në veri të Teksasit, tetë në Arkandas, dy në Oklahoma dhe një në Kentucky. Shumë të tjerë u lënduan dhe gati 500 mijë banorë ishin pa furnizim me rrymë në disa shtete amerikane të dielën, raporton televizioni BBC.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se më shumë se një e treta e të gjitha distrikteve në shtetin e tij tashmë janë nën një shpallje të fatkeqësisë.
Frank Soltysiak, që jeton në një park të shtëpive të lëvizshme në veri të Teksasit, tha se shtëpia e tij ishte shkatërruar brenda minutave, kur stuhia kaloi andej.
Sidoqoftë, në disa pjesë të tjera të Teksasit u regjistruan temperatura rekorde të vapës. Banorët e disa pjesëve u paralajmëruan për motin e nxehtë gjatë fundjavës me rastin e shënimit të Ditës së Përkujtimeve.