Rritet numri i të vdekurve nga sulmi ndaj forcave amerikane në Kuvajt
Numri i të vdekurve nga sulmi ndaj trupave amerikane që ndodhi të dielën në Kuvajt ka shkuar në gjashtë, njoftoi të hënën Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.
Sulmi që rezultoi në ushtarin e parë amerikan të vrarë në luftën mes ShBA-së e Iranit ishte goditje e drejtpërdrejtë ndaj një qendre të improvizuar të operacioneve në portin civil Shuaiba të dielën në mëngjes sipas kohës lokale, i tha televizionit CNN një burim i afërt me situatën.
Shuaiba është port i rëndësishëm në jug të Kuvajtit. Të hënën, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, konfirmoi se nga sulmi që la të vrarë ushtarë amerikanë u godit “një qendër taktike e operacioneve që ishte e fortifikuar”, por ishte një predhë që depërtoi nëpër mbrojtjen ajrore.
Edhe Komanda Qendrore tha në deklaratën e së hënës se një objekt u godit “gjatë sulmeve fillestare të Iranit”. Televizioni CNN më herët ka raportuar se dyshohej për sulm me dron.
Ushtarët që ndodheshin në këtë qendër i përkisnin një komande me bazë në Kentucky. Komanda operacionale ndodhet në Kampin “Arifjan” në Kuvajt, sipas ushtrisë amerikane.
Ushtria nuk i ka identifikuar ushtarët e vrarë të dielën, pasi fillimisht janë duke u njoftuar familjet e tyre.