RRGK reagon pas vendimit të Gjykatës për shfajësimin e njerkut që keqpërdori seksualisht 9-vjeçaren - NACIONALE

RRGK reagon pas vendimit të Gjykatës për shfajësimin e njerkut që keqpërdori seksualisht 9-vjeçaren

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se me shqetësim kanë pranuar aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual të një vajze nën moshën 16-vjeçare e cila bashkë me nënën e saj kishte raportuar se ishte keqpërdorur seksualisht nga njerku i saj.

Rasti në fjalë sipas RRGK-së kishte filluar të trajtohej pas 6 vjetësh raportimi, ndërsa gjykimi kishte zgjatur katër vjet e gjysmë.

Njoftohet se në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari është nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.

“E mitura, atë kohë 9-vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raporton rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pranon Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RRGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim: ‘Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm’”, thuhet në njoftim.

Sipas RRGK-së, gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se ‘bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm’ – duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.

Theksohet në njoftimin e RRGK-së se përkundër që gjykata ka pranuar se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se ‘Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë’.

Tutje, përpos që në paragrafin më lart, gjykata e konsideron ‘raport të çrregulluar’ dhe ‘mungesë të vullnetit të njërës palë’ abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese: ‘Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011”, thuhet tutje në reagimin e RRGK-së.

Lajme të ngjashme