Rivalitet se jo mahi: 50,01 % me 49,9 % rezultati mes dy kandidatëve për president të Perusë
Përderisa në Kosovë është ditur se cila parti do të dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit, e pothuajse edhe cila parti do të dalë e dytë e cila e treta, garë shumë më e ngushtë po zhvillohet matanë Oqeanit Atlantik, në pjesën perëndimore të Amerikës së Jugut, më saktësisht në Peru.
Majtisti Roberto Sanchez të hënën doli në epërsi në garën për president të Perusë, në krahasim me Keiko Fujimori, e cila aktualisht ka 49,9 për qind, sipas rezultateve zyrtare nga numërimi i 93,92 për qind të votave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Fujimori kishte një epërsi të hershme pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, por Sanchezi vazhdoi që ta ngushtonte dallimin me numërimin e kutive të reja. Rezultati i tij u fuqizua nga votat e zonave rurale.
Me gjasë, rezultati do të mbetet i ngushtë deri në fund të procesit të numërimit, pasi kanë mbetur vetëm pak më shumë se 6 për qind e votave pa u numëruar.