“Reuters”: Ushtria amerikane do të blejë së paku 1 milion dronë në dy – tri vitet e ardhshme - NACIONALE

“Reuters”: Ushtria amerikane do të blejë së paku 1 milion dronë në dy – tri vitet e ardhshme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria amerikane synon që të blejë të paktën 1 milion dronë në dy ose tri vitet e ardhshme dhe mund të blejë mes gjysmë milioni e disa miliona të tjerë në vit në vitet pasuese, tha sekretari i Ushtrisë, Daniel Driscoll.

Ky zyrtar e bëri të ditur ndryshimin e madh në planin për blerjen e dronëve në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Reuters”, duke i pranuar sfidat që paraqiten, pasi dega më e madhe e ushtrisë amerikane siguron vetëm rreth 50.000 dronë në vit tani për tani.

“Është një ngritje e madhe, por është një ngritje të cilën ne jemi shumë të aftë për ta bërë” – tha më tej sekretari Driscoll.

Dronët e vegjël e jo të shtrenjtë janë dëshmuar si ndër armët më të forta në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ku aeroplanët konvencionalë janë relativisht të rrallë për shkak të rrjetit të ngjeshur të sistemeve kundërajrore afër vijave të frontit.

Ukraina dhe Rusia prodhojnë nga rreth 4 milionë dronë në vit, por Kina ndoshta është në gjendje që të prodhojë dyfish më shumë se kjo shifër, tha amerikani Driscoll.

Më tej, ai tha se prioriteti i tij është që Shtetet e Bashkuara të jenë në një pozicion ku mund të prodhojnë dronë të mjaftueshëm për ndonjë luftë në të ardhmen, duke e stimuluar prodhimin vendës të shumë produkteve, përfshirë sensorët e bateritë.

“Ne presim që të blejmë të paktën një milion dronë brenda dy deri tri viteve të ardhshme dhe ne presim që, në fund të një ose dy vjetëve nga sot, ne do të dimë se në një moment konflikti, do të jemi në gjendje që të aktivizojmë një zinxhir furnizimi që është mjaftueshëm i fortë dhe i thellë për t’u aktivizuar, sado shumë dronë që do të na duheshin” – tha Driscoll.

Lajme të ngjashme