Republikanët e marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë të ngushtë
Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara i ka siguruar 218 ulëset e nevojshme për ta pasur shumicën në dhomën e ulët të Kongresit. Fitorja në Dhomën e Përfaqësuesve nga partia në opozitë u sigurua vetëm një javë pas zgjedhjeve, raporton televizioni “CBS News”.
Edhe pse shumica e siguruar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve është shumë e ngushtë, ajo mjafton për t’i shkaktuar ngecje agjendës së presidentit Joe Biden gjatë dy viteve të ardhshme, shkruan televizioni BBC.
Sidoqoftë, Partia Demokratike e ka ruajtur kontrollin në Senat, që është dhoma e lartë e Kongresit. Fituesit e disa ulëseve nuk janë përcaktuar ende.
Republikanët kishin shpresuar se do ta merrnin kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit, por rezultati i partisë së tyre ishte më i dobët se që pritej.
Pritet që Partia Republikane të sigurojë 218 deri në 223 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, organ që gjithsej ka 435 anëtarë.