Rebelët Houthi hedhin raketa drejt anijes së nisur për në Iran, e konsiderojnë “amerikane”
Rebelët Houthi të Jemenit të hënën hodhën dy raketa drejt një anije që po transportonte misër e që pritej të arrinte në një port të Iranit, duke i shkaktuar dëme të vogla por jo lëndim të ekuipazhit, thanë autoritetet.
Sulmi ndaj anijes “Star Iris”, që operohet nga grekët e me flamur të Ishujve Marshall, tregon se sa gjerësisht tani i shënjestrojnë rebelët Houthi anijet që lundrojnë nëpër Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe Ngushticën Bab el-Mandeb, e cila i lidh këto dy hapësira ujore, raporton agjencia “Associated Press”.
Anija “Star Iris” ishte nisur nga Brazili drejt Bandar-Khomeinit në Iran, përkrahësi dhe armatosësi kryesor i rebelëve Houthi në luftën që ka nisur para disa vjetëve.
“Pronari dhe operatori i grupit rregullisht tregtojnë mallra me Iranin, prandaj ky vend u vlerësuar të ishte me gjasë destinacioni” – tha kompania private e sigurisë, “Ambrey”, duke shtuar se anija “Star Iris” pësoi dëme në pjesën e djathtë gjatë sulmit.
Rebelët Houthi e përshkruan këtë anije si “amerikane” dhe thanë se e vunë në shënjestër me disa raketa. Pronari i anijes, “Star Bukl Varriers Corp.” nga Athina e Greqisë, tregtohet në tregun e aksioneve “Nasdaq” në Nju-Jork dhe nuk iu përgjigj një kërkese për koment.