Reagon Atifete Jahjaga për ftesën për Daçiqin: Ai ishte pjesë e një regjimi që përdhunoi gratë kosovare
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se është e habitur se si Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt i ka bërë ftesë Ivica Daçiqit.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Jahjaga tha se kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre.
“A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare”, është shprehur Jahjaga.
Në anën tjetër, ajo tha se viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt.