Rasti “Fajdedja”: Arrestohet edhe një person, 36 të dyshuar
Policia e Kosovës sot ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka arrestuar edhe një të dyshuar, me inicialet A.G., i cili dyshohet për rastin e njohur si “Fajdeja”.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë me datën 18.10.2022, ka iniciuar rast për veprën penale ‘Fajde’ dhe me datën 20.10.2022 në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka dorëzuar kallëzim penal, kundër disa të dyshuarve, ndërsa gjatë hetimeve nën autorizimin e prokurorit të rastit me datën 04.05.2023, ka dorëzuar poashtu edhe një raport plotësues të kallëzim penal në Prokurorin Themelore në Ferizaj, kundër disa të dyshuarve e në mesin e tyre edhe për të dyshuarin A.G”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës theksohet se tashmë rasti i të dyshuarve ka shkuar në 36 persona, ndërsa 28 prej tyre janë të arrestuar.
“Gjatë hetimeve të kryera deri me tani në këtë rast si të dyshuar janë tridhjetë e gjashtë (36) persona të përfshirë në rastin “Fajdeja” dhe nga ta, deri më tani si të dyshuar, janë të arrestuar njëzet e tetë (28) persona”, thuhet në njoftim.