Rasti "Drenica 1": Gjykata konfirmon pafajësinë e Sami Lushtakut ndaj aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it - NACIONALE

Rasti "Drenica 1": Gjykata konfirmon pafajësinë e Sami Lushtakut ndaj aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it

3 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm lidhur me akuzat për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”.

Në një postim drejtuar qytetarëve, Lushtaku tha se aktgjykimi lidhet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin ‘Drenica 1’, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it”, shkroi Lushtaku.

Lushtaku tha se ky vendim përmbyll një varg procesesh gjyqësore që kishin nisur 13 vjet më parë. Lushtaku pretendoi se akuzat ndaj tij ishin mbështetur në deklarata dhe dëshmitarë të rremë.

“Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm”, deklaroi ai.

Ai bëri të ditur se gjykata e ka shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj tij, duke shtuar se kishte besuar vazhdimisht se e vërteta do të triumfonte.

“Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë”, shkroi Lushtaku.

Në fund të postimit, ai falënderoi familjen, bashkëluftëtarët, miqtë dhe qytetarët për mbështetjen gjatë proceseve gjyqësore.

“Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj përiudhe. Faleminderit përjetësisht!”, përfundoi Lushtaku.

Lajme të ngjashme