Rashiq: Ende nuk jam takuar me Kurtin, nesër konstituohet vetëm Kuvendi
Kryetari i partisë dhe deputeti i subjektit “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, ka thënë se ende nuk është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por se një takim mes tyre pritet të zhvillohet gjatë këtyre ditëve.
Rashiq ka deklaruar se nesër pritet të konstituohet Kuvendi, por jo edhe të votohet formimi i Qeverisë së re.
Sipas tij, qeveria nuk pritet të votohet gjatë seancës së së enjtes.
“Nuk jemi takuar, por besoj se takohemi këto ditë. Sikurse e dini, për nesër besoj se do ta kemi vetëm pjesën e konstituimit të Kuvendit, nuk do të hyjmë në marrëveshje të tjera. Pres që pas ditës së nesërme të takohemi në një moment dhe të flasim për një angazhim për qeverinë e re, kurdo që bëhet një gjë e tillë e mundshme. Sa e di unë, nuk do të votohet qeveria”, tha Rashiq.