Raportohet se presidenti i Iranit u lëndua gjatë sulmeve izraelite muajin e kaluar
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, raportohet se u lëndua lehtë gjatë njërit prej sulmeve të Izraelit ndaj vendit të tij muajin e kaluar.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, “Fars”, e cila është e afërt me Rojat Revolucionare, tha se më 16 qershor, gjashtë bomba i vunë në shënjestër pikat e qasjes dhe të hyrjes së një objekti sekret nëntokësor në Teheran, ku presidenti iranian po merrte pjesë në një takim urgjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, raporton televizioni BBC.
Thuhet se Pezeshkian-i pësoi lëndime të lehta në këmbë, kur ai dhe të tjerë po iknin përmes një daljeje emergjente. Raportohet se Irani tani po i ndjek burimet e mundshme të infiltrimit nga agjentët izraelitë.
Raporti i agjencisë “Fars” nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur. Izraeli nuk e ka komentuar publikisht raportin.
Në video të publikuara në rrjete sociale gjatë luftës 12-ditore shfaqen sulme të përsëritura ndaj një ane të malit në pjesën veriperëndimore të Teheranit.
Tani është marrë vesh se në shënjestër të sulmeve në ditën e katërt të luftës ishte një objekt nëntokësor në Teheran, ku në atë kohë ndodheshin udhëheqësit e lartë të vendit.
Në raportin e agjencisë “Fars” thuhet se nga sulmet izraelite u bllokuan të gjitha gjashtë pikat e hyrje-daljeve si dhe sistemi i ventilimit.
Edhe furnizimi i objektit me energji elektrike u ndërpre, por presidenti iranian arriti që të vendosej në një vend të sigurt./Nacionale