Raportohet se Papa Françesku ka përdorur një fjalë nënçmuese ndaj komunitetit LGBT
Papa Françesku përdori një term shumë nënçmues për komunitetin LGBT, përderisa përsëriti gjatë një takimi me dyer të mbyllura me priftërinj italianë se personave homoseksualë nuk duhet t’u lejohet që të bëhen priftërinj, raportuan të hënën mediat italiane.
Gazetat me tirazhin më të madh ditor në Itali, “La Repubblica” dhe “Corriere della Sera”, e cituan papën të ketë thënë se seminaret, ose kolegjet për priftërinj, tashmë janë plot “frociaggine”, term Italian që në mënyrë të fjalëpërfjalshme do të përkthehej si “*ederllëk”, raporton agjencia “Reuters”.
Vatikani nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Gazeta “La Repubblica” citoi disa burime të pasaktësuara, ndërsa e përditshmja “Corriere della Sera” tha se raportim e ka mbështetur në disa priftërinj të paidentifikuar, që lanë të kuptohej se papa, si argjentinas, mund të mos ketë marrë vesh se termi Italian që ai e përdori është fyes.
Uebfaqja e thashethemeve politike, “Dagostio”, raportoi e para për këtë incident, për të cilin tha se ndodhi më 20 maj, kur Konferenca e Priftërinjve Italinë hapi një asamble me një takim jopublik me papën.
Papa Françeskut deri më tani i janë dhënë merita për vendosjen e Kishës Katolike drejt një qasjeje më mikpritëse ndaj komunitetit LGBT.