Raportohet se Irani ka ekzekutuar një protestues për lëndimin e një roje me thikë
Irani ekzekutoi të enjten një protestues të dënuar për lëndimin e një roje sigurie me një thikë dhe mbylljen e një rruge në kryeqytetin Teheran, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, “Tasnim”.
Protestat gjithëkombëtare, të cilat shpërthyen pas vdekjes së gruas 22-vjeçare kurde, Mahsa Amini, më 16 shtator, e përfaqëson njërën nga sfidat më të mëdha për Republikën Islamike që nga themelimi i saj më 1979, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia “Tasnim” e identifikoi personin e ekzekutuar si Mohsen Shekari, por nuk dha hollësi të tjera.
Autoritetet iraniane i kanë shtypur protestat dhe të hënën, Rojat Revolucionare e çmuan sistemin gjyqësor për pozicionin e ashpër dhe e inkurajuan për të lëshuar shpejt e në mënyrë të vendosur vendime për të pandehurit e akuzuar për “krime kundër sigurisë së kombit dhe Islamit”.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, ka thënë se autoritetet iraniane po kërkojnë dënim me vdekje për të paktën 21 persona, duke bërë thirrje që organet e drejtësisë të heqin menjëherë dorë nga dënimi me vdekje për të gjithë të akuzuarit.