Raportohet se është arrestuar një person si i dyshuar për sulmin në Stamboll
Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu të hënën në mëngjes ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar se kishte lënë bombën në Stamboll të dielen e 13 nëntorit. Ministri sipas raportimeve e ka akuzuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për përgjegjësi.
PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste, shkruan BBC.
Ndryshe, askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Ndërkohë ajo që dihet deri më tani është se të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur në një shpërthim në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me orën lokale të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim.