Raportohet për rreth 50 të vrarë në Mali nga kryengritësit e lidhur me Al Qaedan - NACIONALE

Raportohet për rreth 50 të vrarë në Mali nga kryengritësit e lidhur me Al Qaedan

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryengritësit e lidhur me grupin Al Qaeda sulmuan të mërkurën në mbrëmje dy fshatra në pjesën qendrore të Malit, duke vrarë rreth 50 njerëz, përfshirë pjesëtarë të forcave vetëmbrojtëse pro-qeveritare dhe civilë, i thanë të enjten tri burime agjencisë “Reuters”.

Këto janë sulmet më vdekjeprurëse të njohura që nga koha kur grupi i lidhur me Al Qaedan, Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin (JNIM) i bashkoi forcat me grupin rebel të mbizotëruar nga fisi Tuareg, Fronti për Çlirimin e Azawadit (FLA) për një sulm të bashkërenduar në shtetin afrikan në fund të prillit. Luftimet sporadike kanë vazhduar nga ajo kohë.

Sulmuesit goditën dy lokalitete në rajonin Mopti, thanë tri burimet – një punëtor ndihmash, një diplomat dhe një burim nga sektori i sigurisë.

Një banor i Bankass-it, që ndodhet afër lokaliteteve të shënjestruara, gjithashtu konfirmoi se sulmet kishin ndodhur natën e së mërkurës, por nuk mund të ofronte ndonjë numër të vrarësh ose identitetin e autorëve.

Ishte e paqartë se sa prej njerëzve të vrarë ishin civilë. Grupet lokale të vetëmbrojtjes dhe gjahtarët, shpesh të lidhur me ushtrinë e Malit, jo rrallë i mbrojnë fshatrat kundër sulmeve të militantëve në rajon.

Lajme të ngjashme