Raportimet për "trajtime" të dyshimta të autizmit, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka njoftuar organet kompetente
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ashpër sot ndaj raportimeve publike lidhur me një qytetar nga Gjilani, i cili dyshohet se ka ofruar ilaçe të kushtueshme duke i prezantuar ato si kurë për autizmin.
Reagimi institucional vjen pas publikimit të rasteve në media dhe rrjete sociale, ku individi i identifikuar si Arianit Sllamniku, përmes profilit të tij në Facebook, promovonte trajtime të paverifikuara, kostoja e të cilave raportohet të arrijë vlerën e mijëra eurove.
Në komunikatën zyrtare, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim të thellë për këto veprimtari, duke e cilësuar shëndetin e fëmijëve si prioritet absolut që nuk guxon të cenohet.
Ministria ka konfirmuar se tashmë ka ndërmarrë hapa ligjorë për të hetuar veprimtarinë e personit në fjalë. Institucioni ka njoftuar organet kompetente dhe ka konfirmuar bashkëpunimin me forcat e rendit.
Reagimi:
Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.
Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.
Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional.