Raporti vjetor i IPK-së: Trajtuam 2 mijë e 480 ankesa ndaj policëve, dhamë 129 rekomandime për suspendim
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen vjetore të punës për vitin 2025, duke raportuar rritje të ndjeshme të numrit të ankesave dhe masa konkrete ndaj shkeljeve brenda Policisë së Kosovës.
Sipas IPK-së, deri më 26 dhjetor 2025 janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2.480 ankesa. “Nga to, 1.753 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për trajtim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës, ndërsa 717 ankesa janë referuar në Departamentin e Hetimeve në IPK, me dyshimin për veprimtari penale”, thuhet në njoftim.
IPK vlerëson se krahasuar me vitin 2024, numri i ankesave është rritur për mbi 20 për qind, çka, sipas institucionit, lidhet me rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe transparencën institucionale.
Gjatë vitit 2025, IPK ka arrestuar 47 persona të dyshuar, prej tyre 41 zyrtarë policorë dhe 6 qytetarë, si dhe ka dhënë 129 rekomandime për suspendim. Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 kallëzime penale.
Veprat penale më të shpeshta të trajtuara kanë qenë keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorimi i pozitës, rrezikimi i trafikut publik, lëndimi i lehtë trupor dhe kanosja.
IPK ka realizuar gjithashtu 12 inspektime, nga të cilat kanë rezultuar 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Institucioni ka theksuar edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa detajet e plota do të publikohen në raportin vjetor për vitin 2025.