Ramush Haradinaj përkujton dëshmorët e Gjakovës dhe heroin Bahri Fazliu
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me rastin e shënimit të 25 vjetorit, ka përkujtuar dëshmorët e betejës së Brigadës 137 “Gjakova” dhe heroin e kombit, Bahri Fazliu.
Haradinaj ka thënë se beteja e Brigadës 137 “Gjakova është unike në historinë e Kosovës.
“Beteja urbane e Brigadës 137 "Gjakova" është unike në historinë çlirimtare të Kosovës. Bijtë e bijat e Gjakovës ishin shembulli më i mirë i luftëtarëve të lirisë, që nga mobilizimi i tyre në ditët e para të luftës për liri, e deri tek formimi i Brigadës dhe dita e fitores. Armiku për hakmarrje ndaj humbjeve në frontin e luftës, nuk kurseu civilët e pafajshëm te Ura e Taliqit. 13 shqiptarë të pafajshëm po të njëjtën ditë u ekzekutuan edhe në Ozdrim të Pejës, fshat që u mobilizua që nga fillet e luftës për liri.” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka përkujtuar heroin Bahri Fazliun.
“Po ashtu, në muajt e përvjetorëve të heronjve dhe të dëshmorëve, sot kujtojmë njërin prej figurave të rendësishme të luftës për lirinë e Kosovës, Bahri Fazliun. Vendosmëria dhe trimëria, si dhe sakrifica e skajshme e Bahri Fazliut, më parë edhe e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, i ngritë ata në piedestalin e dëshmorëve të Kosovës.”
“Përgjithmonë krenar me heronjtë e ushtrisë çlirimtare! Përgjithmonë krenar me rrugëtimin tonë për liri!” – përfundon shkrimi i tij.
Statusi:
