Ramiz Lladrovci rikandidon për kryetar të Drenasit, merr besimin e degës
Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar sot zyrtarisht se ka marrë mbështetjen e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas për të rikandiduar në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Në një postim në Facebook, Lladrovci falënderoi Kryesinë e Degës për miratimin e propozimit për kandidaturën e tij, duke bërë të ditur se votimi ishte pothuajse unanim: 42 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Postimi i Lladrovcit:
Falënderoj Kryesinë e Degës së PDK-së në Drenas, për miratimin e propozimit për kandidaturën time për kryetar të komunës për zgjedhjet e 12 Tetorit. Votat për kandidaturën time ishin 42 për, një kundër dhe një abstenim.
Pres nga Kryetari i PDK-së, miratimin e këtij propozimi të Degës e cila nuk njeh humbje nga çlirimi e këndej.
Me punë e përkushtim, uniteti i dëshmuar i Degës së PDK-së në zgjedhjet nacionale, pres të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale, ashtu sikur deri sot të jemi fitues në të gjitha zgjedhjet lokale e qëndrore.
Drenasi, dje bastion i UÇK-së dhe sot bastion i PDK-së, është i pathyeshëm në rrugën dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit.
Komuna e Drenasit është gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë në nivel nacional, sepse i ka edhe qytetarët më të mirë, degën e PDK-së me organizimin më të mirë, prandaj, mezi pres të vazhdojmë!
Besimi që mu dha është jo vetëm detyrë por edhe obligim në shërbim të qytetarëve të komunës së Drenasit!