Ramajli për Kushtetutën e 2 Korrikut: Përfaqësuesi i LDK-së nxorri deklaratën që shfaqte vullnetin e popullit
Ish-kryetari i Kuvendit gjatë viteve të 90-ta, Ilaz Ramajli ka përkujtuar datën e 2 korrikut të vitit 1990, kur edhe u miratua Deklarata Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur në kuadër të ish Federatës Jugosllave.
Në një prononcim për gazetën, Ramajli ka ndarë momente nga ajo ditë duke thënë se kjo ngjarje pësoi nga mbledhja e mbajtur një ditë para, më 1 korrik, ku nën drejtimin e përfaqësuesit të LDK-së u nxorr Deklarata që definohej vullneti i popullit të Kosovës për status të ri dhe të avancuar juridiko- kushtetues.
‘’Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të cilën e përcolli në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990, referendumi gjithë popullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, amendamentet e Kushtetutës me të cilat u rrumbullakua korniza kushtetuese për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur, për kohën kur u nxorën, ishin akte mbrojtëse dhe pozicionuese në kuptim politik dhe kushtetues lidhur me rrjedhën e ngjarjeve në ish Jugosllavi. Ishin edhe përgjigje e pashmangshme e politikës nacional shoviniste serbe e cila me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, të cilat i bëri me dhunë, Kosovës ia hoqi autonominë duke krijuar edhe raport të ri në Federatën jugosllave me qëllim të hapjes së rrugës së mbizotërimit serb’’, tha Ramajli.
Sipas tij, shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, i kishin paraprirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithë popullore për mëvetësi, liri e barazi.
‘’Më 1 korrik u mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues të partive politike të atëhershme, nën drejtimin e përfaqësuesit të LDK-së i cili nxori Deklaratën me të cilën definohej vullneti i popullit të Kosovës, për status të ri dhe të avancuar juridiko- kushtetues dhe duke e përkrahur punën e Kuvendit të Kosovës, kërkohej nga ai që të respektoj vullnetin e shprehur të popullit për pavarësi dhe barazi’’, përfundoi Ramajli.
Ai tutje tha se ‘’Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut paraqet pikënisjen e procesit të gjatë të pavarësimit të Kosovës e cila pavarësi u ndërtua me Lëvizjen paqësorë për çlirim si dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për tu realizuar e plot me 17 shkurt 2008, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të cilën ne e gëzojmë sot’’.