Ramadani tronditet nga intervista e Sallahut: Mjerë Kosova që e ka zëvendësministër
Politologu Shkodran Ramadani është tmerruar nga intervista e fundit zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se mjerë Kosova që ka një zëvendësministër të tillë.
Sipas tij, gjatë kësaj interviste Sallahu ka folur shumë të pavërteta.
“Mbrëmë dëgjova Blerim Sallahun në intervistën e tij në “Debat Plus”. Komenti i parë për të është që mjerë Kosova që ka një Zv.Ministër të tillë të Drejtësisë. Është tronditëse diskrepanca mes përmasave të të pavërtetave që ai i fliste dhe aftësisë së tij për të mbrojtur të pavërtetat e Partisë Vetëvendosje rreth rastit të Astrit Deharit. Rrallë kam parë në jetën time që dikush me kapacitet aq të ulët intelektual të merr nën mbrojtje të pavërteta aq gjigande. Nga paaftësia për të mirëmbajtur rrenën e sajuar, ai belbëzonte non-stop dhe përgjigjet e tij i ngjanin më shumë një kasete të prishur sesa shpërndarjes së vajit në tepsi. Por kështu është kur vaj ke pak, kurse tepsinë shumë të madhe”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka thënë se Sallahu ndoshta nuk e di se çfarë gënjeshtre të madhe ka marrë përsipër.
“Blerim Sallahu ndoshta thjesht nuk e di se çfarë gënjeshtre të madhe ka marrë përsipër. Këtë gënjeshtër as gënjeshtari dhe mashtruesi më i zhdërvjelltë që ka Kosova – Albin Kurti – nuk po arrin ta mbajë mbi supet e tij, tashmë të kalitura nga pesha e gënjeshtrave të shumta ndër vite. Prandaj Albin Kurti e ka deleguar këtë përgjegjësi tek dy gënjeshtarë tjerë të paskrupullt: Tomë Gashi dhe Blerim Sallahu. Por derisa Nietzsche thoshte se njerëzit e thonë të vërtetën jo pse Zoti e ka ndaluar gënjeshtrën, për Blerim Sallahun vlen një tjetër konstatim: po e thotë gënjeshtrën sepse i zoti i tij moti kohë e ka ndaluar të vërtetën për ndjekësit e tij.”, ka shkruar Ramadani.