Ramadani për hapjen e Urës së Ibrit: Të hapet në dialog me NATO-n, jo me Serbinë
Ish-inspektori në AKI tash ekspert i sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet në dialog me NATO-n dhe jo në dialog me Serbinë.
Ramadani në një postim në “Facebook” tha se rikthimi i idesë së hapjes së urës si temë në dialog me Serbinë është i pavend dhe i dëmshëm .
“Ura të hapet në dialog me NATO-n, JO në dialog me Serbinë. Rikthimi i idesë për përfshirjen e hapjes së Urës në dialog me Serbinë në Bruksel është edhe i pavend, edhe i dëmshëm, edhe i papranueshëm. Serbia nuk ka dhe nuk duhet të ketë VETO për hapjen e Urës në Ibër.”,shkruan Ramadani.
Ai tha se çështja e urës në dialog ka përfunduar dhe se Kosova dhe BE-ja ka kryer obligimet e tyre në marrëveshje. Ai shtoi se kthimi i urës në dialog në Bruksel do ti jepte veto Serbisë.
“Kosova dhe BE kanë realizuar obligimet e dala nga Marrëveshja. Rikthimi i Urës në dialog është Veto për Serbinë. Ndërsa, për hapjen e Urës së Ibrit, duhet më shumë punë me NATO-n dhe më pak fjalë në media! Hapja e Urës bëhet bashkë me NATO-n dhe KFOR-in.”, shkruan Ramadani.